Liverpooli ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi, duke u mposhtur 3:0 nga Nottingham Foresti në ndeshjen e xhiros së 12-të të Premier Leagues.
“Të Kuqtë”, kampionë në fuqi të Anglisë, regjistruan kështu disfatën e gjashtë të këtij edicioni, krahas gjashtë fitoreve që i kanë deri tani.
Ndeshja nisi keq për vendasit. Në minutën e 33-të, mbrojtësi brazilian Murillo zhbllokoi rezultatin me golin e epërsisë për Nottinghamin.
Vetëm dy minuta më vonë, Nottinghamit iu anulua një tjetër gol i shënuar nga Igor Jesus.
Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 46-të, Nicolo Savona dyfishoi avantazhin për mysafirët. Goditjen përfundimtare e dha Morgan Gibbs-White në minutën e 78-të, duke e çuar rezultatin në 3:0 dhe duke vulosur fitoren e thellë të Nottinghamit në “Anfield”.
Me këtë humbje, Liverpooli largohet edhe më shumë nga gara për titull dhe zbret në 18 pikë, duke u renditur në pozitën e 11-të. Nottinghami, ndërkohë, arrin kuotën e 12 pikëve dhe mbetet në pjesën e poshtme të tabelës.