Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar se po merret me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, në vend se të japë shpjegime pse LDK-ja nuk e ka votuar buxhetin e Prishtinës për vitin 2025.
Murati tha se mosvotimi i buxhetit të kryeqytetit – bashkë me mosmbështetjen për buxhetin e RTK-së dhe buxhetin e shtetit për vitin 2026 – rrezikon pagesat e pagave, pensioneve dhe shërbimeve të tjera thelbësore.
“Dhe ja, në vend se të përgjigjet pse nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Lumir Abdixhiku qenka marrë me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo vetëm e vërteton atë që thashë: këtyre nuk u intereson qytetari. Përndryshe, do ta kishin votuar buxhetin, jo vetëm të Prishtinës, por edhe të RTK-së e të shtetit për vitin 2026, e nuk do të rrezikonin pagat, pensionet dhe shumë shërbime tjera esenciale”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai e quajti “të turpshëm” qëndrimin e Abdixhikut në raport me procesin buxhetor dhe qytetarët.