Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas deklaratës së saj se liderët e partive politike nuk e mbështetën propozimin e saj për miratimin e buxhetit për Prishtinën, Gjilanin, Zubin Potokun, RTK-në dhe Planin e Rritjes para shpërndarjes së Kuvendit.
Abdixhiku ka thënë se propozimi i LDK-së ishte i hapur dhe i diskutuar, dhe se nëse të gjithë janë të gatshëm, LDK nuk është kundër.
Ai ka shtuar se nuk pati asnjë lëvizje nga partitë dhe institucionet për 15 ditë, gjë që sipas tij, e bën situatën të pakuptueshme dhe krijon kriza politike të qëllimshme.
“Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gadishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht. Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 dië pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide”, ka shkruar tutje ai.
Abdixhiku ka theksuar se bllokimi i këtij propozimi nuk ka ndodhur për arsye teknike, por si taktikë politike, dhe kërkon korrektësi dhe sjellje minimale njerëzore në këtë betejë politike.
Ai e përshkruan situatën si një “inskenim” të krizës që po zgjat tashmë 12 muaj.