Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim disa zona të Kosovës do të përfshihen nga reshje bore.
Ai theksoi se institucionet përgjegjëse janë të përgatitura që të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të jenë të hapura dhe të qarkullueshme.
Durmishi u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
“Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditëve në vijim pritet që në disa zona të Kosovës të ketë reshje bore. Ju njoftoj se jemi të përgatitur që të gjitha rrugët nacionale, rajonale dhe autoudhët të jenë të mirëmbajtura dhe të qarkullueshme. Megjithatë, kërkohet kujdes i shtuar në komunikacion”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti në ditët në vijim do të jetë kryesisht i vranët, me mundësi për riga të dobëta shiu dhe lokale bore.
Temperaturat minimale do të luhaten nga -1°C deri në 7°C, ndërsa maksimalet mund të arrijnë deri në 11°C.