Transportin publik po e shfrytëzojnë vetëm punonjësit e Trafikut Urban.
Tash e tre ditë këta autobusë kanë vetëm një linjë: nga baza teknike e tyre deri te hapësira mes objektit të Qeverisë dhe Komunës.
Pasi zbarkuan në adresën ku po kërkojnë zgjidhje, mjetet e transportit u ndalën në shenjë proteste.
Si pasojë, edhe këtë të mërkurë u krijuan kolona dhe Policia e Kosovës kërkoi sërish mirëkuptimin e protestuesve për largimin e autobusëve.
Por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Po besoj dhe shpresoj… këto ditë të vështira qytetarët e kanë më së vështiri, por jo prej nesh sepse jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Kemi familje dhe mbijetojmë me këto të ardhura”, ka theksuar Ilmi Gashi, kryetar i Sindikatës së Trafikut Urban.
Edhe pse moti ishte me shi, kjo nuk i pengoi protestuesit të qëndronin para komunës me kërkesën e tyre të vetme, pagesën e mjeteve që u kanë borxh.
“Nuk duam të përzihemi fare në politikë. I duam mjetet tona të dalin në llogari, paratë tona, të na fshihen borxhet, të paguhen pagat dhe të fillojmë punën”, ka deklaruar Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së Operatorëve Privatë.
Protesta vazhdoi për disa orë në shi.
Para përfundimit të tubimit për këtë ditë, përfaqësuesit e protestuesve patën edhe një thirrje.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që, brenda mundësive, të na bashkohen dhe të na përkrahin në këtë protestë”, ka deklaruar Shaip Selmani, kryetar i Sindikatës së Re të Trafikut Urban.
Pa shënuar ora 13:00, autobusët u larguan nga rruga, megjithatë pritet të rikthehen sërish nesër me të njëjtën kërkesë, kryerjen e pagesave.
Nga Komuna e Prishtinës nuk u deklaruan nën arsyetimin se qëndrimi vazhdon të mbetet i njëjti në përkrahje të protestuesve dhe duke thënë se fajin e ka Ministria e Financave.