Autoritetet amerikane kanë pezulluar përpunimin e të gjitha kërkesave të imigracionit nga qytetarët afganë, pas identifikimit të një burri nga Afganistani si i dyshuari për sulmin ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë.
Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS) tha se pezullimi vjen ndërsa po rishikohen “protokollet e sigurisë dhe verifikimit”.
I dyshuari, Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, kishte mbërritur në SHBA nga Afganistani në shtator 2021 nën programin Operation Allies Welcome dhe kishte marrë azil në vitin 2024.
Presidenti Donald Trump e cilësoi sulmin si “akt terrori” dhe deklaroi se SHBA do të marrë masa për të larguar “të huajt nga çdo vend që nuk i takon këtu”. Ai shtoi se tani duhet rishikuar çdo individ që ka ardhur nga Afganistani nën administratën e Biden.
Sulmi ndodhi rreth orës 14:15 EST (19:15 GMT) pranë stacionit të metrosë Farragut Square.
Dy ushtarët e Gardës Kombëtare ishin në patrullim të dukshëm kur i dyshuari “u shfaq papritmas dhe filloi të qëllonte”, tha Jeff Carroll, shef i ndihmës i Policisë Metropolitane. Të pranishmit ndërhynë dhe e mbajtën nën kontroll derisa mbërritën forcat policore. I dyshuari u plagos katër herë.
Pas sulmit, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se presidenti ka kërkuar dërgimin e 500 trupave shtesë të Gardës Kombëtare në kryeqytet. Aktualisht në Uashington ndodhen rreth 2,200 trupa të Gardës Kombëtare, të cilët ndihmojnë në mbajtjen e rendit, por nuk mund të arrestojnë.
Shtimi i trupave u bë pjesë e përpjekjeve për të reduktuar kriminalitetin në qytet, i cili sipas Trump ka rënë që nga vendosja e tyre.
Trupa janë dërguar edhe në qytete të tjera amerikane, duke u përballur me sfida ligjore nga kritikët që akuzojnë administratën për tejkalim të kompetencave./BBC