Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka përfunduar një vizitë dyditore intensive në Washington D.C., ku ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me zyrtarë të administratës amerikane dhe institucioneve të sigurisë.
Hamza ka thënë se në fokus të vizitës ka qenë paraqitja e vizionit të tij për zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe “rindërtimin e partneritetit të thellë” me administratën e Presidentit Donald Trump.
Ai u takua me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, ndërsa theksoi edhe një takim të rëndësishëm me James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow në Fondacionin “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë me programin qeverisës të Trumpit.
Në takim ishin të pranishëm edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë.
Hamza vlerësoi se nga këto takime është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv” për mundësitë e reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar se periudha e vështirë e mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik mund të marrë fund.
“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, energji, ushtri dhe inteligjencë”, shkroi Hamza.