Hazir Haziri, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe më 8 shtator 2025 në pikën kufitare të Merdarit, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë viteve 1998-1999. Tre muaj pas arrestimit, familja e tij thotë se ai po mbahet padrejtësisht dhe në kushte të rënda, ndërsa kërkojnë reagim urgjent nga institucionet e Kosovës dhe ndërkombëtarët.
E bija e Hazirit, Kaltrina në një intervistë për RTV Dukagjini, u shpreh se familja po përballet me pasiguri dhe mungesë të informacionit, ndërsa thekson se vizitat dhe ndërmjetësimet zyrtare deri tani nuk kanë sjellë asnjë përparim.
Ajo deklaroi se babai i saj është vizituar disa herë nga zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, përfshirë kryetarin e saj, Jetish Jashari. “Përgjigja e tij ka qenë: ‘Kjo është çështje politike. Haziri nuk ka të bëjë asgjë me aktakuzat e ngritura’,” tha ajo.
Sipas saj, edhe deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka qenë i njoftuar për rastin, por pavarësisht kontakteve, nuk ka pasur zhvillime konkrete.
Ajo ngriti shqetësimin se shteti i Kosovës duhet të gjejë mënyra ndërmjetësimi, sepse “babai po mbahet peng” dhe se nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga Bashkimi Evropian, Kryqi i Kuq apo çdo mekanizëm tjetër që mund të ndikojë në lirimin e tij.
“Ne e dimë që Kosova dhe Serbia nuk kanë raporte të mira, por duhet me ekzistu një mënyrë urgjente për lirimin e babit. Ai po mbahet aty tash e tre muaj, pa pasur asnjë lidhje me akuzat,” tha ajo, duke i bërë thirrje institucioneve të Kosovës – sidomos Presidencës – për reagim të menjëhershëm.
Ajo kritikoi edhe mesazhet e autoriteteve për qytetarët që udhëtojnë nëpër Serbi: “Nëse presidentja thotë ‘evitoni udhëtimet’, atëherë pse nuk mbyllet kufiri? Qytetarët kalojnë vazhdimisht, sepse askush nuk na jep mbrojtje. Nëse ekziston rrezik, duhet masë e qartë nga shteti.”
E bija tha se babai i saj ka udhëtuar disa herë në Serbi pas luftës dhe asnjëherë nuk ka pasur problem. Ajo e përshkroi arrestimin e 8 shtatorit si të papritur, të padrejtë dhe emocionalisht shkatërrues për familjen.
“Jemi tre muaj në ankth. Babai është i pafajshëm dhe po mbahet në mënyrë absurde. Familja nuk është mirë,” përfundoi ajo.
Familja Haziri kërkon që institucionet e Kosovës, por edhe mekanizmat ndërkombëtarë, të angazhohen pa vonesë për lirimin e tij./Tv Dukagjini