Një marrëveshje financiare, e nënshkruar më 2 qershor 2022 mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë, KOSTT, siguroi një kredi të konsiderueshme që kishte për qëllim mbulimin e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës në rrjetin evropian të energjisë ENTSO-E.
Edhe pse në dokumentacionin zyrtar të siguruar nga Dukagjini kjo paraqitet si “mbulim i detyrimeve ndaj ENTSO-E për shkak të devijimeve”, këto devijime janë krijuar nga konsumimi në veri të Kosovës, ku për vite të tëra energjia është shpenzuar pa pagesë, duke prodhuar kosto të mëdha për sistemin energjetik të vendit.
“Meqenëse ndikimi i krizës energjetike në Evropë ka përfshirë edhe Republikën e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt dhe shkaktuar çrregullime në funksionimin e sektorit, si pasojë ka lënë pas një sërë obligimesh të natyrës financiare ndaj operatorëve energjetikë.
Meqenëse, shtohet interesi publik për të siguruar qëndrueshmërinë financiare dhe funksionale të aktorëve kyç të sektorit energjetik për mirëmbajtjen e furnizimit të vazhdueshëm të energjisë elektrike brenda vendin;
Meqenëse, Huamarrësi ka përgjegjësi të plotë që të ruajë balancimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe balancimin me sistemet interkonektive në shtetet fqinje me qëllim të mbajtjes së balancës mes të furnizimit dhe kërkesës;
Pas parasysh këtyre, konfirmimi i kufijve energjetik të Republikës së Kosovës përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Kyçjes ndërmjet Huamarrësit dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) paraqet njërën nga arritjet më të rëndësishme të sektorit të energjisë në Kosovë;
Me qëllim të sigurimit të likuiditetit për përmbushjen e obligimeve të Huamarrësit që i rrjedhin nga Marrëveshja e Kyçjes, përfshihet mbulimi i shpenzimeve të paparashikuara lidhur me devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale – ENTSO-E të palëve përgjegjëse të Republikës së Kosovës, dhe për vazhdimësinë e procesit të Huamarrësit për anëtarësimin me të drejta të plota në ENTSO-E;
Bazuar në Nenin 4 të Ligjit Nr. 03/L-175 për Borxhet Publike, Nenin 24 të Ligjit Nr. 08/L-066 për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, Rregulloren MPPT-Nr. 02/2021 për Huadhënien ndaj Subjekteve të Sektorit Publik, Vendimin e Qeverisë Nr. 03/79 të datës 25 maj 2022 dhe Kërkesës për huamarrje të Operator Sistemi, Transmioni dhe Tregu Sh.A. të datës 5 maj 2022;”, thuhet në preambulën e kësaj marrëveshje.
“2.01. Huadhënësi pajtohet t’i japë Huamarrësit, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara ose të referuara në këtë Marrëveshje, një kredi në shumën prej 26,500,000.00 euro (njëzet e gjashtë milionë e pesëqind mijë euro) (“Kredia”).
2.02. Huamarrësi zotohet t’i shfrytëzojë mjetet e Kredisë ekskluzivisht për mbulimin e detyrimeve financiare lidhur me devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale – ENTSO-E.
2.03. Huadhënësi rezervon të drejtën të kërkojë dëshmi nga Huamarrësi se mjetet e dhëna sipas kësaj Marrëveshjeje janë shfrytëzuar në përputhje me Pikën 2.02 të saj. Nëse nuk arrihet të dëshmohet se shuma e dhënë është shfrytëzuar për qëllimin qartazi të autorizuar nga kjo Marrëveshje, kjo përbën shkelje të Marrëveshjes.
2.04. Kredia do të shërbejë për të ndihmuar likuiditetin e ndërmarrjes dhe jepet sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në nenet 6 dhe 12 të Rregullores MFPT-Nr. 02/2021 për Huadhënien ndaj Subjekteve të Sektorit Publik”, thuhet në nenin 2 të kësaj marrëveshje.
Marrëveshja e plotë e siguruar nga Dukagjini:
