Rusia ndërpret marrëveshjet ushtarake me Portugalinë, Francën dhe Kanadanë: Nuk janë më strategjikisht të rëndësishme

Rusia ka ndërprerë tre marrëveshje shumëvjeçare të bashkëpunimit ushtarak me Portugalinë, Francën dhe Kanadanë, përmes një dekreti të publikuar të premten, raportojnë mediat shtetërore ruse. Autoritetet në Moskë thanë se këto marrëveshje, të nënshkruara midis viteve 1989 dhe 2000, “nuk janë më strategjikisht të rëndësishme”.

Marrëveshjet datojnë nga periudha kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit po përmirësoheshin pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Ajo me Kanadanë u firmos vetëm pak javë pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, në kohën kur udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov synonte forcimin e lidhjeve me vendet perëndimore. Marrëveshja me Francën në vitin 1994 pasqyroi përpjekjen e presidentit Boris Jelcin për të integruar Rusinë në strukturat evropiane të sigurisë. Ndërsa marrëveshja me Portugalinë në vitin 2000 u nënshkrua gjatë një periudhe që konsiderohet si më e frytshmja në marrëdhëniet dypalëshe Rusi–Portugali.

Që atëherë, Kremlini dhe presidenti Vladimir Putin kanë adoptuar një qasje gjithnjë e më armiqësore ndaj NATO-s dhe Perëndimit, duke akuzuar aleancën se po zgjerohet drejt kufijve rusë dhe duke e fajësuar Perëndimin për luftën e ndërmarrë nga Moska kundër Ukrainës. Kundërshtimi ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO ishte ndër kërkesat kyçe të Moskës në propozimin prej 28 pikash dërguar SHBA-së për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës.

Anulimi i marrëveshjeve me Portugalinë, Francën dhe Kanadanë vjen pas një vendimi të ngjashëm në korrik, kur kryeministri Mikhail Mishustin pezulloi marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarako-teknik me Gjermaninë të vitit 1996. Ministria e Jashtme e Rusisë e akuzoi atëherë Berlinin për “politikë haptazi armiqësore” dhe për “aspirata gjithnjë e më agresive militariste”.

Ndërkohë, Portugalia dhe Franca mbështesin propozimet e Komisionit Evropian për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të siguruar hua për Ukrainën. Rreth 210 miliardë euro në asete shtetërore ruse janë aktualisht të bllokuara në Bashkimin Evropian, shumica e të cilave ruhen nga Euroclear në Belgjikë.

BE-ja po diskuton mënyrat e shfrytëzimit të këtyre fondeve të ngrira për të mbështetur Ukrainën, e cila, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, përballet me një mungesë buxhetore prej rreth 65 miliardë dollarësh gjatë dy viteve të ardhshme.

Të fundit nga rubrika