Paraditen e së premtes u betuan si kryetarë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa në orët e para të mbrëmjes shkuan në Rashkë për takim me zyrtarin e Qeverisë së Serbisë, Petar Pekoviq.
Pranë flamujve dhe fotografisë së presidentit të shtetit serb, kryetarët e zgjedhur të komunave dhe zyrtarë të tjerë të Listës Serbe, morën mesazhet nga Petkoviq – i cili foli me theks të veçantë për, siç u shpreh, “kthimin e pushtetit në veri”.
“Sot në Rashkë, zhvillova një takim me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe i përgëzova kryetarët e komunave për marrjen e detyrës! Kthimi i komunave serbe në veri të Kosovës dhe Metohisë te populli, si dhe forcimi i mëtejshëm i komunave serbe në jug të lumit Ibër, janë me rëndësi të madhe për të ardhmen, mirëqenien dhe mbijetesën e popullit serb!” – Instagram: Petar Petkoviq
Takimi pak orë pasi morën detyrat, sipas ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, është sinjal se ata “do të vazhdojnë të punojnë në përputhje me interesat e Serbisë në Kosovë”.
“Transferi u bë pa asnjë incident për faktin se ata për ta vazhduar strategjinë refuzimit të bashkëpunimit me institucionet qendrore duhet të sigurojnë legjitimitet. Siguruan legjitimitetin dhe pasdite menjëherë krijuan kontakte në mënyrë të drejtpërdrejtë për të çuar mesazh te pakicat serbe në ato komuna, por edhe te Qeveria e Serbisë se do të vazhdohet bashkëpunimi”, ka thënë Bejtush Gashi, Ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe Profesor
Pasi tha se në këtë fazë nuk pret veprime refuzuese, Gashi vlerësoi se periudha e vështirë vjen pas zgjedhjeve parlamentare pasi pritet presion diplomatik për rikthimin e serbëve tjerë të dorëhequr nga institucionet.
“Shpresoj dhe besoj që qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 Dhjetorit do ta ketë parasysh këtë fakt, dhe duhet të jetë e përgatitur që të ushtrojë një kontakt të drejtpërdrejtë me pakicat në ato komuna, për të penguar ndikimin e Serbisë në presionin që u bëhet atyre kryetarëve, por jo vetëm, edhe të gjitha strukturave në nivelin komunal”, ka thënë Bejtush Gashi, Ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Profesori Lutfi Bilalli e vlerësoi hap të mirë betimin me ligjet dhe simbolet e Kosovës, por u shpreh i shqetësuar për veprimet që mund të vijnë më vonë nga kryetarët të rinj të komunave nga radhët e Listës Serbe.
Në këtë kontekst ai përmendi asociacionin, teksa theksoi se takimi me Petkoviqin, edhe pse në një masë përdoret për konsum të brendshëm në Serbi, përbën një goditje që konfirmon vazhdimin e politikave të Beogradit.
“Sfidat do të jenë çdoherë me këto struktura, edhe pse betimin dhe dokumentacionin e shtetit të Kosovës, Republikës tonë, defakto i kanë pranuar, por taktizimi i tyre është që të përdorimin mjete tjera që në të ardhmen të sfidojnë qoftë me veprimet e tyre sidomos në ato kompetenca që kanë kryetarët e komunave”, ka thënë Lutfi Bilalli, Ish-diplomat dhe Profesor.
Të premten, para flamujve dhe fotografisë së presidentes në përputhje me ligjet e Kosovës, anëtarët e Listës Serbe të zgjedhur kryetarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, bën betimin dhe pranuan detyrat.