Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të shtunën mbrëma dhe ka vendosur të ndryshojë datën e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Me vendimin e ri, shorti që fillimisht ishte planifikuar për datën 8 dhjetor do të mbahet një ditë më herët, më 7 dhjetor 2025, të dielën, duke nisur nga ora 14:00. Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur detajet e këtij ndryshimi, duke theksuar se për këtë ceremoni janë ftuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike.
“Kjo ceremoni do të mbahet të dielën në ora 14:00 dhe për këtë janë ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike”, deklaroi ai.
Shorti do të përcaktojë renditjen e partive dhe koalicioneve në fletëvotim, një hap i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.