Jamal Musiala është rikthyer në stërvitje pas 164 ditësh mungesë për shkak të një lëndimi serioz të pësuar në ndeshjen e Kupës së Botës për Klube ndaj Paris Saint-Germain.
Mesfushori ofensiv 22-vjeçar mori pjesë të martën paradite në disa segmente të stërvitjes ekipore të Bayern Munich, ku u prit ngrohtësisht nga bashkëlojtarët, të cilët formuan një korridor nderi për të.
Musiala u përfshi në nxehje dhe ushtrime pasimi, para se të vazhdonte me programin e tij individual të rehabilitimit.
Trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, kishte paralajmëruar rikthimin e tij edhe javën e kaluar, përpara ndeshjes së Bundesligës ndaj Mainz 05.
“Jamal po afrohet. Shpresojmë që para Krishtlindjeve të marrë pjesë në disa seanca stërvitore. Kjo do të ishte e rëndësishme për ndjesinë e ekipit dhe për të personalisht. Nëse gjithçka shkon mirë, synimi është që të marrë minutat e para në janar”, kishte deklaruar Kompany.
Ndërkohë, pjesa tjetër e ekipit të Bayern Munich ka nisur javën e fundit të stërvitjeve për këtë vit. Bavarezët do ta mbyllin vitin me ndeshjen ndaj FC Heidenheim, përpara se të hyjnë në pushimin dimëror.