Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur nga Peja pjesë të programit të tij qeverisës, me fokus të veçantë punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative.
Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku tha se programi i LDK-së parasheh punësim të garantuar për të diplomuarit, duke theksuar se secili i diplomuar në Kosovë do të ketë mundësi punësimi për gjashtë muaj, me pagë 500 euro, të subvencionuar nga shteti.
“Çdo i diplomuar në Kosovë do të ketë punësim të garantuar për gjashtë muaj me pagë 500 euro, të subvencionuar nga shteti. Asnjë i diplomuar nuk do të endet rrugëve pa shpresë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se paralelisht me këtë masë, do të investohet edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale të të rinjve përmes trajnimeve masive në fushën e teknologjisë informative. Sipas tij, rreth 40 mijë të rinj do të trajnohen në sektorin e IT-së përmes Ministrisë së Digjitalizimit, me synimin që Kosova të bëhet më konkurruese në tregun modern të punës.
“Paralelisht, 40 mijë të rinj do të trajnohen në sektorin e teknologjisë informative, përmes Ministrisë së Digjitalizimit”, përfundoi ai.
Abdixhiku theksoi se këto masa synojnë të ndalin largimin e të rinjve nga vendi, të rrisin punësimin dhe ta pozicionojnë Kosovën si një vend me fuqi punëtore të kualifikuar në sektorët e së ardhmes.