E diela në Kosovë pritet të karakterizohet me mot të ftohtë dhe me mjegull, ndërsa në zonat me lartësi më të madhe mbidetare parashihet mot më i ngrohtë dhe me diell. Gjatë mesditës, intervale kohore me diell mund të shfaqen edhe në rajone të tjera të vendit.
Temperaturat do të lëvizin nga -3 gradë Celsius minimalja deri në 7 gradë Celsius maksimalja.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, e diela do të sjellë mot me intervale me diell, mjegull dhe vranësira lokale. Kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme si pasojë e ndikimit të anticiklonit.
Anticikloni, i cili ka qenë dominant për një periudhë më të gjatë dhe ka shkaktuar inverzion të temperaturave duke favorizuar mjegullën, pritet të dobësohet të hënën. Të martën parashihet shpërbërja e inverzionit termik, me largimin gradual të mjegullës. Pas intervaleve me diell, nga Mesdheu do të depërtojnë vranësira më të dendura, të cilat do të sjellin reshje lokale shiu, fillimisht në Shqipëri dhe më pas edhe në Kosovë gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Temperaturat do të shënojnë rritje, ndërsa reshjet e borës priten vetëm në zonat malore.
Të mërkurën parashikohet mot me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në disa vise malore do të ketë reshje shqote dhe bore, njofton MeteoBallkan.