Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një anije cisternë nafte që ishte nisur së fundmi nga Venezuela, ka bërë të ditur Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së.
Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që autoritetet amerikane konfiskojnë një anije që transporton naftë pranë brigjeve të vendit.
Veprimi vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka urdhëruar një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Nga ana tjetër, qeveria e Venezuelës e ka dënuar ashpër konfiskimin, duke e cilësuar atë si “vjedhje”. Në një deklaratë zyrtare, autoritetet venezueliane paralajmëruan se “këto akte nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, duke shtuar se synojnë të paraqesin një ankesë në Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Sipas raportimeve, operacioni është udhëhequr nga Roja Bregdetare e SHBA-së, njësoj si në rastin e mëparshëm të këtij muaji. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila mbikëqyr Rojën Bregdetare, ka publikuar një video të operacionit në rrjetin X.
“Në një aksion para agimit, herët në mëngjesin e 20 dhjetorit, Roja Bregdetare e SHBA-së, me mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes, kapi një cisternë nafte që kishte qenë e ankoruar për herë të fundit në Venezuelë”, ka shkruar Noem.
Ajo theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë të ndjekin dhe ndalojnë transportin e paligjshëm të naftës së sanksionuar, e cila sipas saj përdoret për financimin e narkoterrorizmit në rajon.
Ndërkohë, javët e fundit SHBA-të kanë shtuar praninë ushtarake në Detin e Karaibeve dhe kanë kryer operacione vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge nga Venezuela, ku raportohet se janë vrarë rreth 100 persona.
Autoritetet amerikane e kanë akuzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se drejton një organizatë të shpallur terroriste të njohur si Cartel de los Soles, akuza që Maduro i ka mohuar vazhdimisht.