Një incident zjarri është shënuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në fshatin Ratkoc, në komunën e Rahovecit, ku është djegur plotësisht një autoambulancë e Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Si rezultat i hetimeve në vendin e ngjarjes dhe provave të siguruara, është identifikuar një person i dyshuar, i cili për motive ende të panjohura dyshohet se i ka vënë flakën autoambulancës.
Rreth orës 18:50, i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore, është arrestuar.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Si pasojë e zjarrit, dëme materiale janë shkaktuar edhe në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Zjarri është lokalizuar me kohë dhe, sipas autoriteteve, nuk raportohet për persona të lënduar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.