Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një seri takimesh me udhëheqësit e lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke riafirmuar angazhimin e dy vendeve për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe avancimin e procesit eurointegrues.
Spiropali u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, ku u diskutua në një frymë bashkëpunimi dhe dialogu të hapur.
Ministrja theksoi rëndësinë e partneritetit ndërinstitucional për realizimin e projekteve konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe afrojnë më tej dy shoqëritë.
Në bisedën me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u theksua roli kyç i Kuvendit dhe diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ministrja Spiropali nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të gjitha forcave politike për mbështetjen e reformave, forcimin e dialogut politik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian
Për më tepër, Spiropali u prit nga presidentja maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova, me të cilën diskutoi rrugëtimin e përbashkët drejt vlerave perëndimore dhe angazhimin për avancimin e agjendës evropiane.