Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar tensione të reja me Danimarkën pasi ka emëruar një të dërguar special për Grenlandën, ishullin e madh arktik që ai ka deklaruar hapur se dëshiron ta aneksojë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së lidhur me emërimin e guvernatorit republikan të Luizianës, Jeff Landry, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë për Grenlandën për mbrojtje kombëtare” dhe shtoi se “duhet ta kemi atë”.
Sipas Trumpit, Landry do të “udhëheqë procesin” si i dërguar special për Grenlandën, e cila është territor gjysmë-autonom nën Mbretërinë e Danimarkës.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra në Kopenhagë. Qeveria daneze njoftoi se do të thërrasë ambasadorin amerikan për të kërkuar “shpjegime”, ndërsa kryeministri i Grenlandës theksoi se ishulli duhet “ta vendosë vetë të ardhmen e tij” dhe se “integriteti territorial duhet të respektohet”.
Vetë Jeff Landry shkroi në platformën X se ishte “nder” të shërbente në një “rol vullnetar për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së”.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Grenlandën, duke përmendur pozicionin strategjik dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare. Ai ka refuzuar të përjashtojë edhe përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin mbi ishullin, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, aleate e NATO-s dhe tradicionalisht partnere e afërt e Uashingtonit.
“Duhet ta zgjidhim këtë çështje. Na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare, jo për minerale”, tha Trump, duke përmendur praninë e anijeve kineze dhe ruse në ujërat përreth si rrezik potencial.
Grenlanda ka rreth 57 mijë banorë dhe gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën kompetencat e Danimarkës. Edhe pse shumica e grenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka në të ardhmen, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me SHBA-në.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, e cilësoi emërimin e Landryt si “thellësisht shqetësues” dhe paralajmëroi Uashingtonin të respektojë sovranitetin danez.
“Për sa kohë ekziston Mbretëria e Danimarkës, që përfshin Danimarkën, Ishujt Faroe dhe Grenlandën, nuk mund të pranojmë veprime që minojnë integritetin tonë territorial”, tha ai për televizionin TV2.
Edhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se territori është i gatshëm të bashkëpunojë me SHBA-në dhe vendet e tjera, por vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë.
“Emërimi i një të dërguari special nuk ndryshon asgjë për ne. Ne e vendosim vetë të ardhmen tonë. Grenlanda u përket grenlandezëve dhe integriteti territorial duhet të respektohet”, tha Nielsen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritet të plotë me Danimarkën dhe popullin e Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ushtarake në Grenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa në vitin 2020 – gjatë mandatit të parë të Trumpit – rihapën konsullatën në Nuuk, kryeqytetin e territorit./BBC