Një person është arrestuar të hënën në Prishtinë, nën dyshimin për veprat penale rrëmbim dhe pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti lidhet me periudhën 24–25 janar 2021. Arrestimi është realizuar pas veprimeve të gjera hetimore të zhvilluara nga njësitë përkatëse policore.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale që dyshohet se kanë lidhje me rastin.
Në mesin e sendeve të konfiskuara janë: një veturë, katër telefona mobilë, tre tableta, dy pajisje USB, dy letërnjoftime, një pasaportë, si dhe dokumente të ndryshme që pritet të përdoren si dëshmi në procedurat e mëtejme hetimore.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë.