E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar sot me kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile të komunitetit serb në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, Prattipati ka theksuar pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve për të gjithë qytetarët, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e sigurisë, të cilat ajo i ka cilësuar si të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve.
Takimi vjen pas zgjedhjeve të fundit komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pas të cilave kryetarët nga Lista Serbe kanë rikthyer pushtetin në këto komuna.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesit serbë kishin dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri.
Me direktiva nga Serbia, ata bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të vitit 2023, si dhe procesin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në atë kohë në katër komunat veriore.
Transferimi i qetë dhe i rregullt i pushtetit tek kryetarët e nacionalitetit serb është vlerësuar nga Bashkimi Evropian dhe ka qenë një nga arsyet kryesore për heqjen e 50 për qind të masave ndaj Kosovës.
BE-ja ka paralajmëruar se heqja e plotë e masave pritet të ndodhë deri në fund të muajit janar.