Shërbimet turke të inteligjencës kanë arrestuar një anëtar të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), i cili ishte ngarkuar me kryerjen e sulmeve vetëvrasëse në Turqi dhe Europë, në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar për plane të mundshme sulmesh gjatë natës së Vitit të Ri.
Ndërkohë, dhjetë persona të tjerë janë ndaluar nën dyshimin për financimin e këtij rrjeti.
Sipas burimeve të sigurisë, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MIT) ka arrestuar Mehmet Gören, një anëtar të lartë të ISIS-Khorasan (ISIS-K), i cili ishte caktuar për të kryer sulme vetëvrasëse ndaj civilëve në Turqi, Europë, Pakistan dhe Afganistan.
Gören, i njohur me nofkën “Yahya”, u kap në zonën kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit dhe më pas u soll në Turqi pas një operacioni të inteligjencës, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.
Operacioni bëri të mundur parandalimin e planeve për sulme në Turqi dhe zbuloi rrjetin e rekrutimit të organizatës terroriste.
Sipas të dhënave të inteligjencës, Gören kishte pranuar të kryente sulme vetëvrasëse dhe kishte avancuar në një pozicion drejtues brenda ISIS-K, pasi kishte vepruar në kampe trajnimi përgjatë kufirit Afganistan–Pakistan. Ai raportohet se ka mbijetuar edhe sulme ajrore kundër militantëve të ISIS-it në Pakistan.
Autoritetet thanë se Gören kishte vepruar së bashku me Özgür Altun, i njohur si “Abu Yasir Al Turki”, i cili më parë kishte luajtur rol aktiv në transferimin e anëtarëve të ISIS-it nga Turqia drejt rajonit Afganistan–Pakistan dhe ishte arrestuar më herët.
Ndërkohë, një dokument i brendshëm i Komandës së Xhandarmërisë së Provincës së Ankarasë, i datës 19 dhjetor, paralajmëronte se ISIS mund të synojë kryerjen e sulmeve në zona të mbipopulluara gjatë natës së Vitit të Ri, raportoi gazeta Cumhuriyet.
Sipas paralajmërimit, organizata mund të planifikojë sulme të armatosura, sulme vetëvrasëse, shpërthime me makina-bombë, sulme me dronë apo përplasje të qëllimshme të automjeteve në turma njerëzish.
Qendrat tregtare dhe tregjet publike janë identifikuar si zona me rrezik të lartë, ndërsa personelit të sigurisë i është kërkuar të marrë masat më të larta të mundshme.
Ky paralajmërim lidhet me përpjekjet e organizatës për të “rritur moralin dhe për të krijuar frikë”, pas dobësimit të aftësive të saj operacionale si pasojë e goditjeve të vazhdueshme në Turqi dhe jashtë saj.
Goditet rrjeti i financimit
Veçmas, Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë ka lëshuar urdhër-arreste për 10 persona në kuadër të një hetimi mbi strukturën financiare të ISIS-it.
Hetimet e Byrosë për Krime Terroriste, të mbështetura në raportet e Bordit për Hetimin e Krimeve Financiare dhe analizat e rrjeteve sociale, zbuluan mënyrën e funksionimit të rrjetit në Ankara.
Sipas hetuesve, të dyshuarit u kishin dërguar para në dorë anëtarëve të ISIS-it dhe familjeve të tyre në zonat e konfliktit në Siri, përmes llogarive bankare, duke përdorur përshkrime si “thirrje për unitet”, “shlyerje mëkatesh” apo “ndihmë për motrat e robëruara”.
ISIS ka kryer më herët disa sulme vdekjeprurëse në Turqi.
Më 10 tetor 2015, sulmues vetëvrasës të ISIS-it goditën një tubim për paqe pranë stacionit hekurudhor të Ankarasë, duke vrarë të paktën 102 persona dhe duke plagosur mbi 400 të tjerë, në sulmin terrorist më vdekjeprurës në historinë e Turqisë. Proceset gjyqësore lidhur me këtë sulm vazhdojnë ende.
Më 1 janar 2017, një person i armatosur sulmoi klubin e natës “Reina” në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri, duke vrarë 39 persona.
Gjithashtu, qindra civilë humbën jetën nga sulmet e ISIS-it në Aeroportin Atatürk, Suruç dhe Diyarbakır gjatë viteve 2015–2017.