Nga e premtja e deri mëngjesin e së hënës një pjesë e fshatit Landovicë të Prizrenit ishte pa rrymë.
Për këtë banorët thanë se nuk kanë marrë asnjë sqarim dhe se ende asnjë ekip i KEDS-it nuk u ka shkuar.
Në mungesë përgjigje e reagimi, banorët ndërhyn vet.
“Për momentin kemi rrymë, jemi mbledhë si banorë e kemi rregullu vet… Na i kuptojmë reduktimet, kur është dy me katër ose katër me dy po të paktën me e pasë një orar. Asnjë sqarim nuk na është dhënë, absolut”, tha përfaqësues i fshatit Landovicë, Faik Berisha.
Por, ata dyshojnë se kompania përgjegjëse për rrjetin e shpërndarjes qëllimisht ua kufizoi furnizimin duke ndërhyrë në trafot e fshatit.
“E kemi kuptu prej disa banorëve tjerë që – na edhe s’kemi dashtë me besu – që punëtorët e KEDS-it kanë ardhë të premten në mbramje dhe i kanë hequr siguresat në tri trafo… E kemi pa në trafo, pasi i kemi hapë trafot sot, që janë hekë nga një fazë për të gjitha pjesët, mirëpo në këtë lagje s’ka është ndalë komplet prej të premtes”, tha Berisha
Më shqetësuese e të vështirë, sipas tyre, situatën e bëjnë temperaturat e ulëta.
“Rryma është ndalë që nga e premtja. Arsyen se pse është ndalë nuk e dimë. Këto nuk na ndodhin edhe rrallë, na ndodhë mjaft shpesh që të ndalet rryma, sidomos në kohën kur vijnë mërgimtarët… Përderisa paguhet rryma elektrike duhet ta kemi, mirëpo edhe paguhet edhe nuk ka… Është prishtur një shtyllë, shtylla s’është e prishur fare. Është këputur një tel, teli s’është këputur fare, por këto janë arsyet e tyre”, u shpreh banori ,Milaim Berisha.
Por, ky është vetëm një nga shumë vendbanimet që janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike ditëve të fundit.
Në një përgjigje lidhur me situatën e përgjithshme në vend, KEDS-i konfirmoi se po aplikon ndërprerje për të ulur konsumin.
“KEDS njofton që nuk ka reduktim, ka vetëm kufizim të energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit të energjisë. Po ashtu njoftojmë se konsumi i energjisë elektrike në muajin dhjetor është rritur ndjeshëm. Nga fillimi i muajit, respektivisht nga 1 dhjetori deri më 18 dhjetor 2025, piku i konsumit ka arritur vlerën 1358 MË, që tregon një rritje të theksuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga data 14 dhjetor deri më datën 21 dhjetor 2025, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 11.6%”.
Në këtë kompani thonë se situata mund të përkeqësohet.
“Nëse ky trend i rritjes vazhdon, ekziston rreziku që të ndikojë negativisht në furnizimin e rregullt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, veçanërisht në disa rajone ku kapacitetet e shpërndarjes janë të kufizuara, që vijnë si shkak i kapaciteteve të pamjaftueshme në burim, ashtu edhe në nivelin e transmetimit”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.
Zonat më të prekura si pasojë e “mungesës së kapaciteteve transmetuese”, sipas KEDS-it, janë Gjilani, Rahoveci, Vitia, Gjakova, Prizreni, Malisheva, Suhareka dhe Mitrovica.