Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numër 33 në listë, Fadil Geci, vlerëson se Kosova ka nevojë për unitet politik më shumë se kurrë.
Geci, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se vendi ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kësisoj mund të forcohet e të jetë më mirë.
Geci, mes tjerash, u shpreh se partitë e tjera kanë nevojë vetëm për pushtet për cka u shpreh se ‘për pushtet bëjnë gjithcka’ teksa shtoi se LDK-ja ka interesat e shtetit primare.
“Kam pushuar një kohë bukur të gjatë dhe kam menduar se në sistemet demokratike dhe ato amerikane mjaftojnë dy mandate dhe duke parë gjendjen e përgjithshme në Kosovë që është duke marrë kahje të padëshirueshme dhe të dëmshme për Kosovën bashkë me vëllezërit mendova se duhet të jem sërish kandidat për deputet e njësoj mendoi edhe kryesia e LDK-së”.
“Na duhet një unitet politik dhe i duhet LDK-ja më shumë se gjithçka pasi është parti që e njeh bota dhe që ka bërë shumë miq e ka ruajtur raportet me miqtë. LDK-ja çdoherë e ka dëshmuar se dëshiron të mirën e shtetit të Kosovës. Përmes LDK-së është shansa më e mirë që të punohet në të mirë të shtetit të Kosovës, po shohim parti tjera që punojnë për pushtetin dhe nuk iu intereson se çfarë bëhet tjetër pos pushteti i tyre”, u shpreh Geci.