Përpos qytetarëve që e ndjejnë gjatë frymëmarrjes e në çdo aspekt të jetës, edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë ditëve të fundit ka regjistruar vlera të rritura të ndotësve në ajër në disa zona të vendit.
Para më shumë se një jave Indeksi i Cilësisë së Ajrit, Kosovën e rendiste tek kategoria e cilësisë së ajrit të pa shëndetshëm për grupe të caktuara, ndërsa këto ditë kemi hyrë në kategorinë që cilësohet e moderuar, me indeksin 71.
Se ka pasur tejkalime mbi nivelin standard e tha edhe specialisti i ajrit, Shkumbin Shala.
“Ne kemi regjistruar ditëve të fundit vlera mbi standardet e lejuara si mesatare vjetore kemi pasur ditore edhe vjetore mundem me thënë, kemi pasur tejkalime mbi nivelin standard, që standardi thotë 50 mikogram për metër kub, ndërsa si mesatare ditore ne këto vlera kemi shënu mbi 50 mikorgram për metër kub, po vlen me potencu që këto vlera janë regjistruar vetëm tek grimcat e pm10 dhe 2.5 ndërsa ndotësit e tjerë kanë qenë nën nivele standarde.”
Specialisti i Ajrit në Institutin Hidrometeorologjik thotë se cilësia e ajrit do të përmirësohet ditëve në vijim sepse do të shtohet fuqia e erës dhe gradualisht do të hiqet mjegulla.
Për shkak të ajrit të ndotur në Kosovë për çdo vit vdesin 760 njerëz, e kostoja ekonomike arrin mbi 240 milionë euro, këto sipas një hulumtimi të organizatës Çohu që citon një raport të Bankës Botërore.
“Edhe kemi pa që automjetet që janë të regjistruara dhe që janë prodhu para vitit 1990 psh. janë rreth 100 mijë ose rreth 150 mijë prej vitit 1990 deri në vitin 2000. Pra edhe kjo është një burim gogja i madh i ndotjes që shkaktohet sidomos në qytete”, u shpreh Besnik Boletini nga Organizata “ÇOHU”.
Për pasojat e ajrit të ndotur qytetarët janë të vetëdijshëm, sidomos ata që janë të prekur nga sëmundjet.
“Krejt familja të gjithë jemi të sëmurë, bile vëllezërit, dy më kanë vdekë prej fytit, prej ajrit të ndotur.”
“Kjo mjegulla që bjen pasoja, sidomos për mua, që kam probleme kronike e shëndetësore me frymëmarrje me diabet, e tension aritmtmi, çka po di unë.”
“Kisha bo apel tek të gjithë liderët e parive politike të cilët janë të përgjegjshëm që na mashtrojnë qe 26 vite edhe nuk e bëjmë sigurimin shëndetësor, shtazët i kanë subvencionet, qeni i ka 50 euro në muaj a unë si qytetar nuk kam sigurim shëndetësor”, tha Enver Balaj.
Ajri i ndotur është problem i përjetshëm që shfaqet zakonisht gjatë muajit dhjetor e janar, problem për të cilin shteti nuk ka gjetur zgjidhje asnjëherë, ndonëse raportet e Bankës Botërore e të organizatave ndërkombëtare në përpikëri shpjegojnë se kush janë ndotësit e ajrit dhe se si mund të ngritët cilësia e ajrit.