Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka filluar të mbahet seanca fillestare ndaj dy vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin e rëndë në kanalin Ibër–Lepenc, si dhe ndaj të akuzuarit të tretë Igor Dimoviq, i cili nuk ndodhet në paraburgim.
Sulmi kishte ndodhur më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku, sipas Prokurorisë Speciale, ishte kryer një akt i rëndë sabotimi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Pas më shumë se një viti hetimesh, më 9 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës dhe partnerë evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “Rrezikimin e rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, si dhe “Spiunazh”.