Opinioni sportiv në Prizren, pavarësisht sukseseve të KB Bashkimi në të dyja konkurrencat, vazhdon ta ketë vëmendjen kryesore te futbolli dhe veçanërisht te Klubi i Futbollit Liria. Tradita gati 90-vjeçare e bën Lirinë qendër interesi për publikun, pavarësisht statusit juridik.
Që nga viti 2023, klubi është privatizuar dhe gjatë vitit 2024 ka kaluar në riprivatizim, me disa aksionarë. Megjithatë, përkundër stabilizimit financiar, Liria ende nuk po gjen qetësinë sportive dhe organizative, duke u përballur me vështirësi në rangun e dytë të garave.
Liria për herë të fundit ishte kampione në vitin 1995. Ajo periudhë e vështirë, por e lavdishme, u shënua nga emra të njohur si Mirsad Collaku, Astrit Berisha, Ergjan Dana, Nehari Toska, Ali Maralusha, Genc Tamniku, Ilir Bytyqi, Sami Buqaj, Ismail Berisha, Alev Nush, Bekim Bakaj, Nurtin Çolak e të tjerë, të cilët dhanë spektakël dhe krenari në kohë segregacioni.
Pas luftës, klubi fitoi dy herë Kupën e Kosovës (2006 dhe 2010), por mungesa e stabilitetit bëri që Liria të lëvizte shpesh mes Superligës dhe rangjeve më të ulëta. Nga viti 2008 deri më 2013, klubi u administrua nga kompania “Drini”, e cila riktheu statusin elitar dhe fitoi Kupën në vitin 2010, por problemet financiare e kthyen klubin sërish nën menaxhimin e komunës.
Periudha 2015–2018, me drejtim nga ish-futbollistët e gjeneratës së sakrificës dhe në krye me Mirsad Collakun, solli stabilitet në Superligë. Në edicionin 2017/2018, Liria ishte shumë pranë kualifikimit në Evropë, por ndërhyrjet politike u konsideruan pengesë për realizimin e këtij suksesi.
Një nga problemet më të mëdha mbetet Shkolla e Futbollit e Lirisë, dikur e njohur si Akademia e Lirisë. Viti 2014/2015 konsiderohet periudha e artë, kur u nxorën nëntë lojtarë juniorë për përfaqësueset e Kosovës dhe Shqipërisë. Ky sukses lidhet drejtpërdrejt me punën e trajnerëve Agron Beseni dhe Enis Gashi.
Futbollistë si Flamur Gashi, Ilir Mustafa, Lumbardh Dellova, Almir Kryeziu, Fitim Susuri, Vedat Muriqi, Albin Memaj, Ibrahim dhe Zenel Gavazaj, Ardian e Roni Gashi, si dhe Diellor Beseni, ishin pjesë e kombëtareve U-17 dhe U-19. Disa prej tyre sot po zhvillojnë karrierë të suksesshme, si Dellova në Bullgari, Kryeziu te Ballkani dhe Mustafa te Drita.
Megjithatë, tash e dhjetë vjet, Shkolla e Futbollit e Lirisë ka stagnuar. Kadetët garojnë në ligat rajonale, ndërsa juniorët në Ligën e Parë, larg nivelit që dikur dominonte Superligën. Ndërrimet e shpeshta të trajnerëve dhe paqëndrueshmëria menaxheriale kanë dhënë efekte negative.
Edhe pse Liria sot është klub privat me aksionarë, interesi për të mbetet publik. Kërkohet angazhim institucional dhe profesional për rimëkëmbjen e klubit dhe, mbi të gjitha, të Shkollës së Futbollit, në mënyrë që Liria t’i rikthehet lavdisë dhe të nxjerrë sërish futbollistë si Vedat Muriqi, Lumbardh Dellova dhe emra të tjerë që kanë bërë histori.