Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim sonte në Gjilan, ku ka prezantuar zotimet e partisë për këtë rajon.
Ai ka theksuar se autostrada e Anamoravës nuk është luks apo çështje elektorale, por një projekt strategjik kombëtar që siguron barazi territoriale dhe zhvillim ekonomik për Kosovën Lindore.
“Këtë zotim e dhashë sonte në Gjilan. Në qytetin me plot energji, besim dhe dinjitet. Në një qytet që kërkon punë në vend të fjalëve, që kërkon zhvillim në vend të propagandës, rezultate e jo arsyetime. Gjilani meriton më shumë. Dhe do ta ketë”, ka theksuar Abdixhiku.
Në këtë tubim, ai ka prezantuar edhe kandidatët e LDK-së për Gjilanin dhe Anamoravën, përfshirë Lutfi Hazirin, Arbër Ismajlin, Valentina Bunjaku-Rexhepin dhe Agim Kastratin, duke e përshkruar ekipin si të fortë, të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj qytetit dhe vendit.