Doktor Shemsedin Dreshaj, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me vendimin e tij për t’i hyrë sërish garës për deputet.
Ai ka thënë se, sa ishte deputet në mandatin e kaluar, kishte provuar që disa çështje kruciale për vendin t’i shtyjë përpara, siç janë çështja e sigurimeve shëndetësore, si dhe ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë shëndetësor dhe arsimor.
“Këtë nuk arrita ta përmbylli. Do të provoj edhe këtë herë që punët që i kam nisur t’i përmbyll dhe t’i dërgoj deri në fund”.
“Ata që më njohin e dinë që unë jam i qëndrueshëm dhe nuk ndalem. Ta shohim këtë herë, ndoshta cilësia e re, kualiteti i ri në Kuvend do t’i shtyjë proceset përpara”, ka thënë ai.