SHBA dhe Nigeria kryejnë operacion të përbashkët ajror kundër Shtetit Islamik në Sokoto

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka kryer një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë.

Udhëheqësi amerikan e përshkroi IS-in si “llum terrorist”, duke e akuzuar grupin se “ka në shënjestër dhe vret në mënyrë barbare, kryesisht, të krishterë të pafajshëm”.

Trump tha se ushtria amerikane “ekzekutoi disa sulme të përsosura”, ndërsa Komanda Amerikane për Afrikën (Africom) raportoi më vonë se sulmi i së enjtes u krye në bashkëpunim me Nigerinë, në shtetin Sokoto.

Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, i tha BBC-së se bëhej fjalë për një “operacion të përbashkët” që kishte në shënjestër “terroristët” dhe se “nuk ka asgjë të bëjë me një fe të caktuar”.

Pa e përmendur konkretisht IS-in, Tuggar tha se operacioni ishte planifikuar “prej mjaft kohësh” dhe ishte mbështetur në informacione të inteligjencës të siguruara nga pala nigeriane.

Ministri nuk e përjashtoi mundësinë e sulmeve të tjera, duke shtuar se kjo varet nga “vendimet që do të merren nga udhëheqja e të dy vendeve”.

Në një postim në Truth Social, vonë të enjten, Trump tha se “nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që Terrorizmi Radikal Islamik të lulëzojë”.

Në nëntor, Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të përgatitej për veprime në Nigeri për të luftuar grupet militante islamiste.

Ai nuk sqaroi në atë kohë se për cilat vrasje po fliste por muajt e fundit, në disa qarqe të djathta në SHBA, kanë qarkulluar pretendime për një gjenocid kundër të krishterëve në Nigeri.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të enjten se ishte “mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane”.

“Gëzuar Krishtlindjet!” shtoi ai në një postim në X.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes publikoi më pas një video të shkurtër jo të klasifikuar, që duket se tregon lëshimin e një rakete nga një anije ushtarake.

Të premten në mëngjes, Ministria e Jashtme e Nigerisë deklaroi se autoritetet e vendit “vazhdojnë të jenë të angazhuara në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u përballur me kërcënimin e vazhdueshëm të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

“Kjo ka çuar në goditje precize ndaj objektivave terroriste në Nigeri, përmes sulmeve ajrore në veriperëndim,” thuhej në deklaratë.

Grupet që monitorojnë dhunën thonë se nuk ka prova që sugjerojnë se të krishterët po vriten më shumë se myslimanët në Nigeri, një vend që është afërsisht i ndarë në mënyrë të barabartë mes ndjekësve të dy feve.

Një këshilltar i presidentit nigerian Bola Tinubu i tha BBC-së më herët se çdo veprim ushtarak kundër grupeve xhihadiste duhet të kryhet në bashkëpunim.

Daniel Bëala tha se Nigeria do ta mirëpriste ndihmën e SHBA-së në luftën kundër kryengritësve islamistë, por theksoi se vendi është “sovran”.

Ai shtoi gjithashtu se xhihadistët nuk po synojnë anëtarë të një feje të veçantë dhe se kanë vrarë njerëz të të gjitha besimeve, ose pa besim.

Presidenti Tinubu ka këmbëngulur se në vend ekziston tolerancë fetare dhe ka thënë se sfidat e sigurisë po prekin njerëz “në të gjitha besimet dhe rajonet”.

Trump kishte njoftuar më herët se e kishte shpallur Nigerinë një “Vend me Shqetësim të Veçantë” për shkak të “kërcënimit ekzistencial” që, sipas tij, i kanoset popullsisë së krishterë. Ai tha se “mijëra” ishin vrarë, pa ofruar prova.

Ky është një klasifikim i përdorur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që parashikon sanksione ndaj vendeve “të përfshira në shkelje të rënda të lirisë fetare”.

Pas këtij njoftimi, Tinubu tha se qeveria e tij ishte e përkushtuar të punonte me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar për të mbrojtur komunitetet e të gjitha besimeve.

Grupet xhihadiste si Boko Haram dhe Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik kanë shkaktuar kaos në verilindje të Nigerisë për më shumë se një dekadë, duke vrarë mijëra njerëz – megjithatë, sipas Acled, një organizatë që analizon dhunën politike në mbarë botën, shumica e viktimave kanë qenë myslimanë.

Në Nigerinë qendrore, ka gjithashtu përplasje të shpeshta midis barinjve kryesisht myslimanë dhe grupeve bujqësore, shpesh të krishtera, për qasje në ujë dhe kullota.

Cikle vdekjeprurëse sulmesh hakmarrëse kanë sjellë gjithashtu mijëra viktima – por mizori janë kryer nga të dyja palët.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nuk ka prova që të krishterët janë shënjestruar në mënyrë disproporcionale.

Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi se kishte kryer një “sulm masiv” kundër IS-it në Siri.

Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) tha se avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri “goditën më shumë se 70 objektiva në disa lokacione në Siri qendrore”. Në operacion morën pjesë edhe avionë nga Jordania./BBC

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika