Ushtarë finlandezë nga Komanda Rajonale-Lindje e misionit të KFOR-it në bashkëpunim të ngushtë me Task Forcën e Aviacionit të Ushtrisë Amerikane, kanë zhvilluar një stërvitje MEDEVAC (evakuim mjekësor) në kampin Bondsteel, në Kosovë.
Siç bëhet e ditur në njoftim e KFOR-it, stërvitja, e mbështetur nga një helikopter UH-60 Black Hawk, simuloi evakuimin e të plagosurve në kushte reale, njofton Dukagjini.
“Trupat realizuan ushtrime për hipjen dhe zbritjen e të lënduarve gjatë operacioneve aktive të helikopterit, përfshirë edhe situata kur helikat ishin ende në lëvizje. Këto trajnime forcojnë ndërveprueshmërinë dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive të KFOR-it, si dhe rrisin gatishmërinë operative për t’iu përgjigjur situatave reale emergjente”, thuhet në njoftim.