Drejtori i Federal Bureau of Investigation, Kash Patel, ka njoftuar se selia aktuale e agjencisë, ndërtesa e vjetër J. Edgar Hoover Building, do të mbyllet përgjithmonë dhe se FBI-ja do të zhvendosë stafin në hapësira ekzistuese në lokacione të tjera.
Sipas planit të ri, një pjesë e punonjësve do të vendosen në Ronald Reagan Building dhe në International Trade Center, ku do të shfrytëzojnë ish-zyrat e United States Agency for International Development.
“Pas më shumë se 20 vitesh përpjekjesh të pasuksesshme, kemi finalizuar një plan për mbylljen e përhershme të selisë së FBI-së në Hoover dhe zhvendosjen e fuqisë punëtore në një strukturë të sigurt dhe moderne”, ka shkruar Patel, duke theksuar se ndërtesa Hoover do të mbyllet përfundimisht.
Ai ka shtuar se ky vendim synon të orientojë burimet aty ku janë më të nevojshme: në mbrojtjen e atdheut, luftimin e krimit të dhunshëm dhe garantimin e sigurisë kombëtare, duke ofruar njëkohësisht kushte më të mira për stafin e FBI-së me kosto më të ulët.
Ndërkohë, në nëntor, udhëheqësit e Maryland paditën administratën Donald Trump, pasi ajo hoqi dorë nga planet për zhvendosjen e selisë së FBI-së në këtë shtet, duke argumentuar se Kongresi kishte ndarë tashmë fonde për këtë qëllim.