Krahas lëvdatave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e mirë të zgjedhjeve, përkundër afateve të shkurta, vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkuan formim të shpejtë të institucioneve të reja.
Pa komentuar për mundësinë e një palë zgjedhjeve të reja, ndërlidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së re, kreu i delegacionit Yunnus Emre foli për rëndësinë e kthimit të funksionalitetit të institucioneve.
“Këto zgjedhje të parakohshme kishin për qëllim të vendosnin fundin e ngërçit politik. Delegacioni bën thirrje që të gjithë akterët të tregojnë përgjegjësi në krijimin e institucioneve funksionale para zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në pranverën e vitit 2026 nga Kuvendi i Kosovës dhe të mbështesin aspiratat demokratike ane euro-atlantike të votuesve. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komisioni Venecias janë të gatshëm të bashkëpunojnë për përmirësimin e mëtejshëm të kornizës zgjedhore dhe forcimin e kapaciteteve te aktorëve përgjegjës për menaxhimin e zgjedhjeve”, ka thënë Yunus Emre, Kryetar i delegacionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Emre vlerësoi se zgjedhjet ishin të qeta dhe profesionale, me zyrtarë të trajnuar mirë dhe atmosferë pozitive,
Megjithëkëtë, kreu i delegacionit të vëzhguesve Yunus Emre përmendi çështjen e tentimeve për të mos lejuar certifikimin e Listës Serbe.
“Delegacioni vuri në dukje se zgjedhjet ishin të përgatitura mirë teknikisht, pavarësisht afateve të shkurtra dhe i vlerëson ato si përgjithësisht gjithëpërfshirëse. Megjithatë, për herët të katërt këtë vit, KQZ-ja refuzoi certifikimin e partisë kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe listës së saj të kandidatëve, vendim që u shfuqizua nga PZAP dhe Gjykata Supreme. Ky model i përsëritur ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit”, ka thënë Yunus Emre, Kryetar i delegacionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës vlerësuan pozitivisht edhe “tonin më të butë në fushatë” përkundër klimës së polarizuar.
Vërejtje përfaqësuesit e Këshillit patën lidhur me numrin e madh të votuesve në listën zgjedhore, që tejkalon numrin e banorëve rezidentë.
Delegacioni vlerësoi se ka “boshllëqe serioze lidhur me rregullimin dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatës”.
Ndërsa mbulimi mediatik u vlerësua i balancuar – por u përmenden shqetësime lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe sponsorizonim politik të mediave.