Vdes ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci

Ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Dacit e ka bërë kryetari në detyrë i Kuuvendit, Dimal Basha, njofton Dukagjini.

“Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës. Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim”, ka shkruar Basha.

Teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të Dacit.

Kujtojmë se Nexhat Daci ishte një ndër figurat më të njohura të jetës politike dhe akademike të Kosovës në periudhën pasluftës, me një rol të veçantë në fazat e para të ndërtimit institucional të vendit.

Ai u bë i njohur fillimisht si intelektual dhe akademik, profesor universitar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pozitë që e mbajti në vitet më të vështira për arsimin dhe shkencën në Kosovë gjatë viteve ’90.

Pas luftës së vitit 1999, Nexhat Daci hyri aktivisht në politikë si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë që kishte udhëhequr rezistencën paqësore nën Ibrahim Rugovën. Në zgjedhjet e para parlamentare, ai u zgjodh deputet dhe më pas u bë Kryetar i Kuvendit të Kosovës (2002–2006), duke qenë një nga figurat kyçe në funksionimin e institucioneve të përkohshme të Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut.

Mandati i tij si kryeparlamentar u karakterizua nga tensione politike të brendshme, veçanërisht brenda LDK-së, si dhe nga përplasjet me faktorë ndërkombëtarë dhe partitë rivale. Këto zhvillime çuan në largimin e tij nga LDK-ja.

Në vitin 2006, Daci themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD), një parti e re që synonte të vazhdonte trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës. LDD arriti të jetë pjesë e Kuvendit dhe e qeverisjes për disa vite, por gradualisht humbi ndikimin politik dhe më vonë u shkrinë strukturat e saj.

Pas rënies së ndikimit të LDD-së, Nexhat Daci u tërhoq kryesisht nga politika aktive, duke u rikthyer më shumë në jetën akademike dhe publike si komentues dhe figurë institucionale.

Shija e redaktorit

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Presidentja Osmani uron qytetarët për Vitin e Ri 2026: Kosova...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin...

Të fundit nga rubrika