Kosova është përballur me temperatura jashtëzakonisht të ulëta gjatë orëve të mëngjesit të së enjtes, më 1 janar, duke shënuar një nga ditët më të ftohta të këtij sezoni dimëror.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se në disa zona të vendit janë regjistruar temperatura minimale ekstreme, të shoqëruara me ngrica të theksuara.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri në orën 14:00, temperatura më e ulët është regjistruar në Vërbicë të Zhegocit, në Komunën e Gjilanit, ku termometri ka zbritur deri në -15 gradë Celsius.
Temperatura shumë të ulëta janë shënuar edhe në disa zona të tjera të Kosovës.
Në Podujevë janë matur -13.6°C, në Brezovicë -13.1°C, në Kërpimeh -12.9°C, në Batllavë -12.6°C, ndërsa në Pollatë dhe Rogoqicë -12.4°C. Po ashtu, në Bilinicë temperatura ka qenë -12.0°C, në Kamenicë -11.9°C, në Komoran dhe Përlapnicë -11.6°C, në Skenderaj -11.3°C, ndërsa në Bajgorë dhe Kijevë -11.4°C.
Edhe qytetet kryesore janë prekur nga i ftohti i madh. Në Prishtinë janë regjistruar -8.3°C, në Prizren -9.0°C, në Ferizaj -10.2°C, në Pejë -8.2°C, në Gjilan -9.7°C dhe në Mitrovicë -9.8°C.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar, veçanërisht për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që lëvizin në zonat malore dhe rurale, për shkak të ngricave dhe kushteve të vështira atmosferike që po mbizotërojnë në vend.