Izraeli ka shprehur në mënyrë indirekte mbështetje për protestat masive kundër regjimit iranian, të cilat janë përhapur në disa qytete të Iranit si pasojë e krizës së thellë ekonomike dhe rënies së vlerës së monedhës kombëtare.
Ndërkohë që disa ministra izraelitë kanë dalë hapur në përkrahje të demonstruesve, kryeministri Benjamin Netanyahu ka zgjedhur të mos komentojë publikisht situatën.
Një postim i publikuar nga llogaria në gjuhën perse e Ministrisë së Jashtme të Izraelit në rrjetet sociale shfaqi një karikaturë me simbolin historik të luanit dhe diellit – që ishte pjesë e flamurit iranian para Revolucionit Islamik të vitit 1979 – duke shtypur me putër një orë rëre, në fund të së cilës shfaqej simboli aktual i Republikës Islamike.
“Ngjitja e luanëve dhe luaneshave iraniane për të luftuar errësirën. Drita triumfon mbi errësirën”” thuhej në mesazhin shoqërues.
خیزش شیرمردان و شیرزنان ایرانی برای نبرد با تاریکی.
نور بر تاریکی پیروز است. pic.twitter.com/oyz4qpHdpf— اسرائیل به فارسی (@IsraelPersian) January 1, 2026
Një tjetër postim nga e njëjta llogari shfaqte udhëheqësit iranianë në panik përballë protestuesve.
“Kalendari i shkatërrimit që ata kishin caktuar për Izraelin, tani është caktuar për veten e tyre”.
Mbështetje të hapur për protestat shprehën edhe ministra të tjerë izraelitë.
Ministrja e Shkencës dhe Teknologjisë, Gila Gamliel, publikoi një video ku u shpreh se protestat janë të justifikuara dhe parashikoi rënien e regjimit iranian.
Ajo deklaroi se “regjimi po dobësohet çdo ditë dhe këto janë momentet e tij të fundit”.
Më herët, Gamliel kishte postuar edhe një fotografi me një kapele me mbishkrimin “Make Iran Great Again”, duke etiketuar Reza Pahlavin, djalin e ish-shahut të Iranit.
Soon 💪🏽@PahlaviReza pic.twitter.com/Q6mIvnmtY9
— גילה גמליאל – Gila Gamliel (@GilaGamliel) December 29, 2025
Edhe ministri për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli, shprehu mbështetje për protestuesit.
“Unë qëndroj me popullin e Iranit”.
— עמיחי שיקלי – Amichai Chikli (@AmichaiChikli) January 1, 2026
Ndryshe nga anëtarët e kabinetit të tij, kryeministri Netanyahu nuk ka reaguar publikisht.
Sipas mediave izraelite, heshtja e tij lidhet me shqetësimin se një deklaratë e drejtpërdrejtë mund t’i shërbente regjimit iranian si justifikim për veprime armiqësore ndaj Izraelit, me qëllim largimin e vëmendjes nga kriza e brendshme. Vendimi thuhet se është marrë pas një informimi të posaçëm që Netanyahu zhvilloi në West Palm Beach.
Protestat në Iran, të nxitura nga kriza ekonomike dhe zhvlerësimi dramatik i rialit – ku një dollar amerikan këmbehet me rreth 1.4 milionë rialë – janë më të mëdhatë që nga viti 2022, kur vdekja e Mahsa Amini në paraburgim shkaktoi demonstrata mbarëkombëtare.
Deri më tani, të paktën gjashtë persona janë raportuar të vrarë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë arrestuar.