Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin, vlerësohet për rolin kyç në ndërtimin e shtetit dhe konsolidimin e demokracisë

Në Akademinë Përkujtimore për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, u mblodhën institucione të larta të vendit dhe personalitete të shquara për të nderuar jetën dhe veprën e tj.

Daci u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe konsolidimin e shtetit, duke shërbyer në role kyçe si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e përshkroi Dacin si një personalitet historik me integritet dhe përkushtim të pa lëkundur, i cili veproi me mençuri dhe dialog gjatë periudhave më të vështira për vendin.

“Sot jemi mbledhur për ta nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që i përket kategorisë së njerëzve që historia flet me respekt të jashtëzakonshëm. Jemi mbledhur për ta dhënë lamtumirën Nexhat Dacit, me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të pa lëkundur. Ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pa shlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, tha Osmani.

“Në periudha më të rënda për popullin tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në këtë kauzë. Në atë epokë ku mençuria ishte aq e nevojshme sa edhe guximi, ai e zgjodhi rrugën e urtësisë, vizionit afatgjatë dhe të përgjegjësisë shtetërore. Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte i qetë, por i thellë. Si kryetar Kuvendi ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë, por ishte edhe kulturë; nuk ishte vetëm rregull, por edhe respekt. Ai besonte në dialog, ligj në argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ. Kjo ishte filozofia e tij shtetformuese”, ka shtuar Osmani..

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e përshkroi Dacin si një intelektual shembullor që bashkonte dijen, urtësinë dhe përgjegjësinë publike, duke e konsideruar dijen si një mision kombëtar dhe themel për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë.

“Një personalitet i rrallë, që i bashkonte dijen me shtetin, mendimin akademik me përgjegjësinë publike dhe urtësinë personale me interesin e përgjithshëm të republikës sonë. Ai ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por si mision kombëtar dhe mjet të thelbësor të emancipimit tonë shoqëror. Për akademikun Daci, dija ishte përgjegjësi e shenjtë publike dhe shtylla e vetme mbi të cilën duhet të planifikohej zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë sonë”, tha ai.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika