I dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, që kishte ndodhur në muajin dhjetor në qytetin e Pejës, është vetëdorëzuar sot para organeve të rendit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 22 dhjetor 2025 rreth orës 13:50, ku Policia ishte informuar për një plagosje me armë zjarri në rrugën “Ahmet Gjikolli”.
Njësitet policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kishin gjetur viktimën të plagosur, e cila fillimisht ishte dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në QKUK në Prishtinë.
I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa hetuesit policorë në vendin e ngjarjes kishin gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në kuadër të DRP Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, kishin zhvilluar veprime intensive hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe ishte lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sot, më 2 janar 2026 rreth orës 12:00, i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit së bashku me tre (3) fishekë, me të cilën dyshohet se ka kryer veprën penale.
Në prezencë të avokatit mbrojtës, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
