Një ngjarje e rëndë tronditi mesditën e së premtes qytezën e Orikumit në Shqipëri.
Një grua 40-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.
Sose Xhebroj është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, i cili pas dhunës dhe vrasjes së 40-vjeçares i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Prindër të dy djemve të rritur, të divorcuar, por ende në konflikte me njëri-tjetrin, ngjarja tragjike që tronditi Vlorën mesditën e kësaj të premteje ka dy viktima: një grua 40-vjeçare dhe ish-bashkëshortin e saj, i cili pasi i mori jetën nënës së fëmijëve të tij, vrau edhe veten.
Policia njoftoi se rreth orës 13:30 është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore për rastin, ndërsa nga veprimet e para hetimore dyshohet se viktima, Sose Xhebroj, është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre dhe më herët kishin qenë drejt divorcit. Dyshohet se gruaja ka qenë edhe më parë subjekt i dhunës në familje. Çifti ishte divorcuar vetëm pak muaj më parë, shkruan A2 CNN.
Për disa kohë, bashkëshortja kishte jetuar në Itali dhe ishte kthyer në Orikum për të kaluar festat e fundvitit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në zonën përreth banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur në ambientet e garazhit trupin e pajetë të ish-bashkëshortit, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri pas ngjarjes. Arma e përdorur, një pistoletë, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë./A2
