“Serbia dhe aleatët e saj, në radhë të parë Federata Ruse, nuk kanë zhvilluar vetëm sulme kinetike e terroriste, por edhe një luftë hibride konkrete, të organizuar, me sabotim dhe dezinformim, për destabilizimin e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se institucionet e vendit kanë arritur ta frenojnë ndjeshëm këtë rrezik.
Në një intervistë për KosovaPress, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë se në vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional.
Sipas tij, gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pasur bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), institucioneve të tjera të sigurisë dhe drejtësisë, bashkëpunim që ka prodhuar rezultate konkrete me arrestime, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash në raste të dyshuara për spiunazh.
Kurti përmendi disa prej rasteve të zbuluara gjatë vitit 2025, përfshirë arrestimin e Fatmir Shehollit më 9 tetor 2025 në Prishtinë, Bojan Jevtiqit, toger i Policisë së Kosovës dhe shef operativ në pikën kufitare Dheu i Bardhë, Hysri Selimit, i arrestuar më 6 maj 2025 nën dyshimet për bashkëpunim me BIA, si dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE në Kosovë, e arrestuar më 28 shkurt 2025 pas hetimeve disamujore.
Sipas kryeministrit në detyrë, ky koordinim ndërinstitucional ka ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ai theksoi se vendi është përballur jo vetëm me kërcënime të drejtpërdrejta, por edhe me një luftë hibride të mirëorganizuar, ku Serbia, sipas tij, vepron si instrument i interesave destabilizuese ruse në rajon.
“Rreziku sot është më i vogël se ç’ishte më herët dhe është duke u zvogëluar”, tha Kurti, duke shtuar se personat e arrestuar për spiunazh janë ose në paraburgim, ose tashmë të dënuar. Ai theksoi gjithashtu se proceset gjyqësore në Kosovë monitorohen nga EULEX dhe po zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Në këtë kontekst, Kurti u shpreh se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, por institucionet shtetërore duhet të mbeten vigjilente. Sipas tij, lufta hibride e Serbisë, e mbështetur nga Kremlini, vazhdon të shfaqet përmes përpjekjeve destabilizuese, dezinformative dhe sabotuese, të cilat synojnë cenimin e paqes dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor.