Prokuroria Themelore e Pejës është aktivizuar bashkë me të gjitha njësitë relevante në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve për plagosjen e një personi në Pejë që ndodhi këtë të diel.
Këtë për Dukagjinin e tha edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës së bashku me njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë edhe krimteknika, aktualisht janë duke u kryer të gjitha veprimet hetimore, dhe njëkohësisht duke punuar për identifikimin e personave të dyshuar dhe arrestimin e tyre më pas”, ka thënë Nikçi.
Kujtojmë se paraditen e sotme një person u plagos në rrugën “Adem Jashari” në Pejë dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 09:55, Policia është njoftuar se në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri, Policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, personi i plagosur është dërguar në emergjencën e Spitalit në Pejë, por për shkak të natyrës së lëndimeve dërgohet në QKUK,Prishtinë. Personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Rugova.