Irani paralajmëron se do të godasë trupat amerikane dhe Izraelin

Irani ka paralajmëruar se trupat amerikane dhe Izraeli do të jenë objektiva legjitime nëse Shtetet e Bashkuara kryejnë sulme ndaj Republikës Islamike, në mes të protestave masive që po sfidojnë regjimin teokratik të vendit.

Protestat mbarëkombëtare, që kanë hyrë në javën e tretë, kanë mbushur rrugët e kryeqytetit Teheran dhe qytetit të dytë më të madh të vendit deri të dielën, ndërsa dhuna e lidhur me demonstratat ka shkaktuar të paktën 116 viktima, sipas aktivistëve.

Me internetin të ndërprerë dhe linjat telefonike të bllokuara, vlerësimi i situatës nga jashtë Iranit është bërë gjithnjë e më i vështirë. Megjithatë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut, me seli në SHBA, numri i të ndaluarve ka arritur në rreth 2,600 persona.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, paralajmëroi se ushtria amerikane dhe Izraeli do të ishin “objektiva legjitime” në rast se SHBA sulmon Iranin, siç ka kërcënuar më herët presidenti amerikan Donald Trump, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Deklarata u bë gjatë një seance të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror iranian, ku deputetët brohoritën “Vdekje Amerikës!”, ndërsa Qalibaf mbajti një fjalim të ashpër.

Frika ndërkombëtare është se bllokada informative do t’u japë krah të fortëve brenda aparatit të sigurisë iraniane për të ndërmarrë një shtypje të përgjakshme, pavarësisht paralajmërimeve të Trump se është i gatshëm të godasë Iranin për të mbrojtur protestuesit paqësorë.

Presidenti Trump shprehu mbështetje për protestuesit, duke shkruar në rrjetet sociale se:
“Irani po shikon drejt LIRISË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA është gati të ndihmojë!!!”

Sipas New York Times dhe Wall Street Journal, që citojnë zyrtarë anonimë amerikanë, Trump ka marrë opsione ushtarake për një sulm ndaj Iranit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi gjithashtu:
“Mos luani lojëra me Presidentin Trump. Kur ai thotë se do të bëjë diçka, e ka seriozisht.”

Në fjalimin e tij, Qalibaf – një figurë e linjës së ashpër që ka kandiduar më parë për president – lavdëroi policinë dhe Gardën Revolucionare Islamike, veçanërisht forcën paramilitare Basij, për qëndrimin e tyre gjatë protestave.

“Populli i Iranit duhet ta dijë se do të veprojmë në mënyrën më të ashpër dhe do t’i ndëshkojmë rëndë ata që arrestohen,” deklaroi ai.

Ai kërcënoi drejtpërdrejt Izraelin, të cilin e quajti “territor i pushtuar”, si dhe ushtrinë amerikane, duke lënë të hapur mundësinë e një goditjeje parandaluese.

“Në rast të një sulmi ndaj Iranit, territori i pushtuar dhe të gjitha qendrat ushtarake amerikane, bazat dhe anijet në rajon do të jenë objektivat tanë legjitime,” tha Qalibaf.

“Nuk e konsiderojmë veten të kufizuar vetëm në reagim pas sulmit.”

Megjithatë, mbetet e paqartë sa serioz është Irani për nisjen e një konflikti të ri, veçanërisht pas shkatërrimit të mbrojtjes ajrore iraniane gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor.

Ushtria amerikane ka deklaruar se në Lindjen e Mesme është e pozicionuar me forca që mbulojnë “të gjithë spektrin e kapaciteteve luftarake” për të mbrojtur interesat amerikane, aleatët dhe partnerët.

Irani kishte goditur më herët forcat amerikane në bazën Al Udeid në Katar, ndërsa Flota e 5-të e SHBA-së ndodhet në Bahrein.

Nga ana tjetër, Izraeli po e ndjek situatën “me shumë vëmendje”, tha një zyrtar izraelit në kushte anonimiteti. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike gjatë natës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku një nga temat kryesore ishte Irani.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika