Kur Greenland u publikua në vitin 2020, befasoi duke qenë një film apokaliptik që zgjodhi njerëzit mbi shkatërrimin.
Në vend të spektaklit të zbrazët, filmi i parë ofroi ankth realist, vendime morale dhe një ndjesi të fortë mbijetese që rezononte edhe me realitetin e pandemisë Covid 19.
Greenland 2: Migration, megjithatë, tregon se sa e vështirë është të ruash atë ndjeshmëri kur vazhdimi kërkon të jetë më i madh, më i zhurmshëm dhe më “epik”.
Pesë vjet pas goditjes së kometës, familja Garrity jeton në një bunker në Grenlandë, një hapësirë që më shumë se strehë, tani ndihet si burg. Ajri është ende i rrezatuar, toka është e shkatërruar dhe bashkëjetesa e detyruar me qindra të tjerë ka humbur çdo iluzion shprese. Një tërmet shkatërrues e mbyll këtë kapitull dhe i detyron të nisen drejt Francës, ku qarkullojnë thashetheme për një krater me ajër të pastër.
Në letër, kjo premisë ofron mundësi për eksplorim moral dhe emocional.
Në praktikë, filmi e shndërron këtë udhëtim në një varg pengesash të njohura post-apokaliptike: banditë të armatosur, stuhira vdekjeprurëse, rrufe, tërmete dhe fragmente kometash që bien nga qiell. Rreziku është i vazhdueshëm, por paradoksalisht, tensioni rrallë ndihet real.
Regjisori Ric Roman Waugh e shtyn filmin drejt spektaklit, por pa finesë. Pamjet e qyteteve të përmbytura dhe qiellit të ndezur nga fragmente kometash janë mbresëlënëse nga larg, por në afërsi, filmi mbështetet në skena të errëta, ura ‘qesharake’ të pasigurta dhe shkëmbime zjarri pa peshë emocionale.
Buxheti më i madh nuk përkthehet domosdoshmërisht në një film më të fuqishëm, nga 35 milion sa ishte i pari, te 90 milion dollarë te filmi i dytë.
Problemi kryesor i Greenland 2: Migration mbetet toni. Filmi sillet vazhdimisht mes mizorisë së ftohtë, ku personazhe dytësore eliminohen pa paralajmërim, dhe një melodrame të sforcuar që kërkon lot dhe empati pa i fituar ato. Çdo humbje shoqërohet me muzikë të rëndë dhe heshtje domethënëse, por pa ndërtim të mjaftueshëm emocional.
Gerard Butler është një prani e qëndrueshme, por edhe ai duket i bllokuar nga skenari.
John Garrity reduktohet në figurën e “babait hero” që gjithmonë ka përgjigjen e duhur dhe gjithmonë mbijeton, edhe kur përballet i vetëm me milici të armatosura. Kjo e dëmton realizmin që e bëri filmin e parë të funksiononte. Morena Baccarin, ndërkohë, shndërrohet në një personazh pasiv, larg partneritetit të barabartë që e karakterizonte pjesën e parë.
Edhe temat që filmi përpiqet të trajtojë, kujdesi për brezin e ardhshëm, domosdoshmëria për të ndërtuar një botë më të mirë, mbeten më shumë deklarata sesa ide të zhvilluara.
Takimet me njerëz “të mirë” përgjatë rrugës shërbejnë si kujtesa morale, por janë të shkurtra dhe të cekëta, duke u ndjerë më tepër funksionale sesa organike.
Ndryshe nga filmi i parë, i cili pa e synuar drejtpërdrejt pasqyronte frikën kolektive të pandemisë, Greenland 2 duket i vendosur të shmangë çdo paralelizëm me botën reale.
Maskat dhe frika nga rrezatimi zhduken sapo bëhen të papërshtatshme vizualisht, dhe mesazhi “post-Covid” që filmi tenton të përcjellë tingëllon i vonuar dhe i konsumuar.
Greenland 2: Migration është një vazhdim, por zhgënjyes. Ai ofron më shumë aksion, më shumë shkatërrim dhe një shtrirje më të madhe gjeografike, por humb pikërisht atë që e bëri filmin e parë të veçantë, ndjesinë emocionale.