Qeveria e Grenlandës ka deklaruar se “nuk mund të pranojë në asnjë rrethanë” dëshirën e presidentit amerikan Donald Trump për ta marrë nën kontroll ishullin, ndërsa NATO po shqyrton hapa konkretë për forcimin e sigurisë në Arktik.
Në fillim të një jave vendimtare për Grenlandën – territor gjysmë-autonom nën Mbretërinë e Danimarkës – Trump e ka përsëritur interesimin e tij për ishullin strategjik dhe të pasur me minerale, duke deklaruar se SHBA do ta marrë atë “në një mënyrë apo tjetër”.
Këto deklarata kanë shkaktuar shqetësim në BE dhe NATO, veçanërisht pasi Trump nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për ta marrë Grenlandën. Danimarka është anëtare e të dyja strukturave, çka nënkupton se Grenlanda mbulohet nga mekanizmat mbrojtës përkatës.
Ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe homologu i saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të takohen të mërkurën në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Danimarka ka rikujtuar se një traktat i vitit 1951 tashmë i lejon SHBA-së të zgjerojë ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Grenlandë, por ka theksuar vazhdimisht se territori “nuk është në shitje” dhe se shpreson në një zgjidhje diplomatike.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria e Grenlandës ka theksuar se ishulli është “pjesë e Mbretërisë së Danimarkës” dhe, si i tillë, “anëtar i NATO-s”. Ajo ka bërë të ditur se do të intensifikojë përpjekjet që mbrojtja e Grenlandës të zhvillohet brenda kornizës së NATO-s.
“Koalicioni qeverisës beson se Grenlanda do të jetë gjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes dhe se të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-në, kanë interes të përbashkët në mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratë.
Trump ka argumentuar se kontrolli amerikan mbi Grenlandën është i nevojshëm për sigurinë e Arktikut, përballë asaj që ai e quan kërcënim nga Rusia dhe Kina.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca po punon për “hapat e radhës” për të garantuar sigurinë në Arktik, duke paralajmëruar se hapja e rrugëve detare rrit rrezikun e aktivitetit rus dhe kinez në rajon.
Diplomatë të NATO-s kanë bërë të ditur se po diskutohen ide si misione të reja, dislokim pajisjesh apo ushtrime ushtarake, por se bisedimet janë ende në fazë fillestare.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka minimizuar mundësinë e një veprimi të njëanshëm amerikan, duke thënë se nuk ka sinjale se SHBA po e konsideron seriozisht marrjen e Grenlandës me forcë.
Ndërkohë, komisioneri evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, ka paralajmëruar se përdorimi i forcës nga SHBA ndaj Grenlandës do të sillte “fundin e NATO-s”. Ai ka theksuar se vendet e BE-së do të ishin të detyruara t’i vinin në ndihmë Danimarkës, në bazë të klauzolës së ndihmës së ndërsjellë të BE-së.
Kubilius ka shtuar se kjo klauzolë është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste në Paris në vitin 2015, ndërsa ekspertët juridikë kanë ngritur pikëpyetje nëse Grenlanda – e cila nuk është pjesë e BE-së – do të përfshihej automatikisht pa ndryshime ligjore.