Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve nga 2,557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025.
Ky vendim i KQZ-së erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.
Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë. Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.
Andaj, duke u mbështetur në këto gjetje, KQZ mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se nëse pas rinumërimit do të vërtetohen manipulimet eventuale me votat e kandidatëve, KQZ do të procedojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.
Sipas KQZ-së, rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë më 13 janar 2026, në orën 18:00.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka kërkuar nga sekretariati të bëjë një verifikim të brendshëm të fletëvotimeve. Më pas me datën 12 sekretariati ka filluar të bëjë këtë verifikim, ku janë numëruar 33 vendvotime, janë verifikuar votat e kandidatëve në këto vendvotime dhe në bazë të të gjeturave ka rekomanduar tek Këshilli për Operacione Zgjedhore rinumërimin e 10 për qind të kutive të vendvotimeve në të gjithë Kosovën, kurse për 10 komuna ka rekomanduar numërimin e qind për qind të kutive në këto 10 komuna, Prizren, Ferizaj, Shtime, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviç dhe Raniullg, rinumërimi qind për qind të vendvotimeve kurse në komuna të tjera deri në 10 të vendvotimeve.
Në bazë të atij procesi të verifikimit të rezultateve ka dalë një shmangie që ka qenë shqetësuese për ne. Pra ka pasë deri 714 vota për kandidat që kanë ndryshuar gjatë verifikimit në çdo komunë të vetëm dy subjekteve, por ka pasë në disa komuna shmangie, në disa prej tyre janë normale se janë brenda kuadrit të gabimeve njerëzore, pro ka qenë shqetësuese që në disa komuna ka qenë një trend jo normal. Andaj për të siguruar transparencë dhe saktësi të procesit të numërimit që kanë ndodhur në QKN Këshilli për Operacione Zgjedhore i rekomandon KQZ-së që të miratojnë rekomandimin që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i kutive në të gjitha vendvotimet, kurse në komuna tjera të bëhet deri në 10 për qind të kutive të numërimit”, tha Krasniqi.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi tha se e vetmja zgjidhje për këtë është forma përmes skenimit të fletëvotimeve.
“Ajo çka më shqetëson është fakti që po përsëritet çdo palë zgjedhje dhe pavarësisht masave që gjithmonë kemi tentu me marrë masa sigurie në këtë proces zgjedhor prapë se prapë po ndodhin gjëra të tilla. Ndoshta është momenti i fundit për me mëndu cili do të jetë plani ynë për me evitu diçka të tillë. Personalisht e kam bindjen që duke pasë parasysh që zgjedhjet bien në duart e subjekteve politike dhe komisionerëve të cilët subjektet politike i nominojnë atëherë edhe kur e shikojmë kronologjinë e proceseve zgjedhore shihet qartë që diçka s’po funksionon dhe kjo prapë po ndodhë. Ndoshta Sekretariati duhet me mëndu. Nuk e di sa do të jetë kostoja nga ky këndvështrim nga dita e sotit, por të kemi fletëvotimeve duhet të jetë i pakompromis dhe mënyra e vetme për të evituar një qasje të tillë dhe përpjekje të tillë të kandidatëve pavarësisht nga vijnë, për të pasë vullnete të përhershme për të manipuluar procese”, tha Gashi.
Anëtari i KQS-së nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj tregoi pse detyrohen të shkohen në rinumërim.
“Të flasim qartë dhe mos të vijmë në një situatë që disa anëtarë të KQZ kërkojnë rinumërim të plotë e disa tjetër për rinumërim të pjesshëm. Para se me ardh në këtë takim anëtarët Komisionit të Këshillit të operacioneve zgjedhore kanë pasë diskutim shteruese dhe arsyeja pse kemi ardh ën mbështetje të propozimit të sekretariatit është se në këto dhjetë komuna ndryshimet kanë qenë më të mëdha dhe prandaj kemi kërkuar që rinumërimi në këto dhjetë komuna të jetë i plotë. Fakti që këto komuna shkojnë në rinumërim në 10 për qind të votave nuk përjashton mundësinë që edhe në këto komuna të shkojmë në rinumërim të plotë. Standardi prej 2 përqindëve nuk e ka dëshmu, ndoshta kriteri prej 10 për qind, na detyron me i çu edhe komunat e tjera në rinumërim”, tha Nitaj./EO
