Një 55 vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda veturës së tij në orët e para të së enjtes në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha për Dukagjinin se viktima ishte taksist që po priste në automjetin e parkuar në një vendparkim të rezervuar për TAXI.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit. Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Bytyqi.
Bytyqi, gjithashtu bëri të ditur se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.
“Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të hetohet si “Hetim I Vdekjes” , në bashkërendim me Prokurorinë”, ka shtuar Bytyqi.