Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka vlerësuar se Bekë Berisha nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryetarit të Klubit Basketbollistik Prishtina, pasi kjo përbën konflikt interesi.
Bekë Berisha u zgjodh kryetar i KB Prishtinës në Kuvendin e mbajtur të mërkurën, emërim që u kundërshtua nga tifo-grupi “Plisat”.
Ndërkohë, ai ka siguruar edhe votat e nevojshme për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
MKRS ka sqaruar se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit lejon një zyrtar publik të jetë anëtar i një organi drejtues, por jo bartës i funksionit drejtues. Sipas ministrisë, çdo situatë e konfliktit të interesit duhet të zgjidhet brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.
MKRS i ka bërë thirrje Berishës që, pas betimit si deputet, të ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur konfliktin e interesit.
Po ashtu, ministria ka njoftuar se do t’i kërkojë Federatës së Basketbollit të Kosovës që të sigurohet se në Kuvendin zgjedhor të KB Prishtinës janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore, veçanërisht ato që lidhen me papajtueshmërinë e ndikimeve politike në menaxhimin e organizatave sportive dhe ruajtjen e integritetit sportiv.
