Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për vendvotimet për të cilat është vlerësuar se ka nevojë për verifikim shtesë.
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi të martën, më 13 janar, në ora 18:00, e deri të premten, më 16 janar, në ora 10:00, janë rinumëruar gjithsej 216 nga 914 vendvotime të planifikuara për rinumërim.
Rinumërimi ka përfunduar plotësisht në 15 komuna, përkatësisht në: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë dhe Obiliq.
Ndërkohë, procesi është ende duke vazhduar në komunën e Rahovecit, ku janë rinumëruar 1 nga 8 vendvotime, si dhe në Pejë, ku deri më tani është rinumëruar 1 nga 14 vendvotime.