Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, pa autorizim dhe në bashkëkryerje edhe me dy të pandehur tjerë, kanë kultivuar bimë të hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.
“Në atë mënyrë që i pandehuri N.Sh., në bashkëpunim me të pandehurin O.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe një i dyshuar i tretë i pa identifikuar deri më tani, kanë mbjellur dhe kultivuar narkotik të llojit Kanabis Sativa në tri parcela. Në këto tri lokacione janë gjetur gjithësej 1592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, njofton Dukagjini.
Në njoftim bëhet e ditur se parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri, ndërsa veprimet e të pandehurve, ku secili nga ta vërehet qartë duke i punuar këto bimë, shihen në foto dhe video të nxjerra nga masa e fshehtë e vëzhgimit.
“I pandehuri N.Sh., është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, që nga data 2 dhjetor 2025, gjendet në masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.