Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka njoftuar për gjendjen e të miturit i cili u godit sonte nga vetura në Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Spitalit të Mitrovicës, i mituri është jashtë rrezikut për jetën, por është referuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm, njofton Dukagjini.
“Një fëmijë i lindur në vitin 2013 (i gjinisë mashkullore), rreth orës 19:55 ka kërkuar ndihmë mjekësore në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, si pasojë e goditjes nga një automjet. Ekipi mjekësor ka ofruar ekzaminim emergjent, përfshirë masat reanimatore. Në bashkëpunim me ekipin e Shërbimit të Radiologjisë është kryer Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë realizuar analizat laboratorike.
“Po ashtu, është konsultuar mjeku kujdestar ortoped. Fëmija është jashtë rrezikut për jetë dhe është referuar për në QKUK për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale. Lëndimet janë në pjesën e fytyrës/sinuseve, por jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftim.